Biznesmeni Agron Uka nga Kosova ka ndërruar jetë, pasi është aksidentuar teksa ishte duke bërë ski në Bansko të Bullgarisë. Lajmi është bërë me dije nga shoqata e Gastronomëve të Kosovës.
“Pas një aksidenti të rëndë, ndërroi jetë Agron Uka. Shoqata e Gastronomëve të Kosovës në emër të anëtarëve të saj, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Uka dhe për të afërmit e saj, me rastin e humbjes së më të dashurit të tyre”, thuhet në njoftim.
Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar dhe komuna e Ferizajt.
“Me pikëllim morëm lajmin për ndarjen nga jeta në moshë të re të bashkëqytetarit tonë, Agron Uka. Me këtë rast, Kryetari i Komunës, Agim Aliu përmes telegramit, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e të njohurve të të ndjerit.
E nderuara familje Uka, lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të birit tuaj, bashkëqytetarit tonë, Agron Uka, na pikëlloi të gjithëve pa masë. Më lejoni që në emër të qytetarëve ferizajas, t’ju shpreh ju ngushëllime të sinqerta për humbjen e më të shtrenjtit tuaj, si dhe gjithë miqve, shokëve e të njohurve të të ndjerit”, shkruhet në telegramin e ngushëllimit.