Në shtëpinë e Dile Dautit, në lagjen numër 7, te "Çezma e Ferrës" nuk kishte as energji elektike, për të kryer ceremoninë e varrimit.

Dile Dauti, 53 vjeçe, u aksidentua  për vdekje, në orët e para të së dielës, 50 metra larg prej drejtorisë së policisë së qarkut të Durrësit në rrugën “Aleksandër Goga”.  Një tjetër person 40- vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e përplasjes nga makina e cila drejtohej nga 25- vjeçari  Klejvi Maliqi.

Pas  dërgimit të trupit nga morgu  në banesë, në shtëpinë e viktimës prej kohësh nuk ka patur energji elektrike.  Nëna e pesë fëmijëve që mbeti viktimë, ishte e papunë, ndërsa prej vitesh ishte edhe kryefamiljare, për shkak se bashkëshorti kishte ndërruar jetë. Në mungesë të punës në shtëpinë e saj nuk kishte energji elektike dhe vetëm pasi trupi ka mbërritur në banesë për ritualet është bërë e mundur lidhja e energjisë elektrike.  

Zona e njohur si “Çezma e Ferrës”, është një prej lagjeve më të varfëra në Durrës, ku numri i të papunëve kap shifra rekord. Në këtë lagje ata që janë në punë numërohen me gishtat e dorës. Si rezultat  mjerimi e fukarallëku janë ulur këmbëkryq prej kohësh në familjet e varfra .

Një ditë pas aksidentit, policia e qarkullimit rrugor ka bërë me dije se shkak ka qënë ndërprerja e rrugës së automjetit nga dy këmbësorët në krahun e pasagjerit, por nuk është përcaktuar akoma nëse 25- vjeçari ka qenë apo jo me shpejtësi të lartë. Evident është fakti se nga përplasja gruaja, nënë e pesë fëmijëve, ndërroi jetë menjëherë, ndërsa personi tjetër po lufton për jetën në spitalin ushtarak.

K.H.