Një ditë më parë, zv/kryeministrja dhe drejtuesja e Task Forcë, Ledina Mandija, njoftoi se ka kallëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës për punësime gjatë fushatës zgjedhore.

Një ditë më pas, vjen reagimi i këtij institucioni që thekson se UKD ka punësuar 4 persona në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe Kodin e Punës, për të zëvendësuar përsona që kanë dalë në pension, apo janë larguar me dëshirë.  

Reagimi i plotë i UK Durrës

Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a është njohur sot me një shkresë zyrtare të zyrës së Zëvendëskryeministres, Znj Ledina Mandija me Nr. Prot 3459, dt 16.06.2017, sipas së cilës Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Durrës duhet të marrë masa pasi ka shkelur VKM nr 473 dt 01.06.2017 si dhe Kodin Zgjedhor përsa i përket largimit, lëvizjes apo punësimit të personave gjatë fushatës zgjedhore.

Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a dëshiron t’i bëjë me dije opinionit publik se ky është një disinformim i qëllimshëm nga ana e zyrës së Zëvendëskryemnistres Mandija. Sqarojmë se për periudhën 25 maj 2017 dhe vazhdim UKD ka punësuar 4 persona në përputhje me Kodin Zgjedhor si dhe Kodin e Punës. 

4 punësimet e kryera nga Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a (të cilat janë pezulluar përkohësisht) janë bërë në përputhje me Kodin e Punës dhe nenin 88 pika 3 te Kodit Zgjedhor. Nga ana e shoqërisë thjesht janë plotësuar vendet e liruara të punës nga punonjës që kanë dalë në pension, ose janë larguar me dëshirë, pasi në të kundërt shoqëria do të kishte probleme në mbarëvajtjen e punës dhe shërbimin ndaj qytetarëve, sidomos ne këtë periudhë të vitit që përkon edhe me sezonin turistik. 

I gjithe informacioni është lehtësisht i verifikueshëm dhe i aksesueshëm nga faqja online e Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve.

Shoqëria ka zbatuar në cdo pikë nenin 88 pika 3 duke iu përmbajtur strukturës së miratuar përpara periudhës zgjedhore.