Beqir Nuredini është kryetari i parë i bashkisë që po hetohet pas prishjes së aleatëve PS-LSI-PDIU.

Ai drejton Bashkinë e Rrogozhinës prej dy vitesh dhe u zgjodh në qershor 2015 me votat e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, madje u prezantua nga vetë Kryeministri Rama si njeriu i duhur për qytetin dhe që ka mbështetjen e PS 100 përqind.

Sot, Beqir Nuredinit i është bllokuar pasaporta dhe po ndiqet penalisht për abuzime me pronat në bregdet.

Le të kujtojmë edhe njëherë se çfarë thoshte Rama në 2015 teksa prezantonte Nuredinin.

"Beqir Nuredini për Bashkinë e Rrogozhinës. Z. Nuredini është një sipërmarrës i suksesshëm dhe administrator i sprovuar, i lindur dhe i rritur në Rrogozhinë. Nuredini është njeriu i duhur, kryebashkiaku i duhur dhe shërbëtori i duhur. Ne i kemi dhënë mbështetje totale të gjithë kandidatëve pavarësisht nëse i kemi propozuar vetë apo i kanë propozuar aleatët, bazuar në aftësitë e tyre. PS është e gjitha në mbështetje të Beqir Nuredinit. Është kandidati i duhur për Rrogozhinën. Këtu ka shumë probleme të trashëguara, shumë plagë të hapura. Por me bashkinë e re të Rrogozhinës do të zgjidhen", theksoi Kryeministri Rama.