Merr fund aventura në Euro 2024 për arbitrin Danny Makkelie, aq shumë i përfolur për gjykimin e Kroaci-Itali (1-1). 41-vjeçari holandez u kritikua shumë nga kroatët, të cilët protestuan ashpër për 8 minutat shtesë, që sollën barazimin e italianëve në sekondat e fundit.

Gjithashtu penalltia për Kroacinë, që u humb nga Luka Modric, u akordua vetëm falë ndërhyrjes së VAR-it pasi Makkiele nuk vërshëlleu menjëherë për penallti pas prekjes së dukshme të topit me dorë nga interisti Frattesi. Ndërkohë që kroatët i cilësuan të tepërta 8 minutat shtesë të akorduara nga arbitri, që rezultuan “fatale” në fund.

“Ndërhyrje e përsosur nga VAR-i te rasti i penalltisë, por ne preferojmë që situata të tilla të vërshëllehen edhe nga arbitrat në fushë…të cilët duhen të kenë një pozicionim më të mirë në situata të veçanta”, u shpreh Roberto Rosetti, Shefi i Arbitrave dhe Kryetar i Komitetit të Arbitrave në UEFA.

Gabimet e Makkieles nuk janë toleruar dhe Europiani i Gjermanisë për arbitrin nga Rotterdami ka përfunduar. Njësoj ka ndodhur edhe me spanjollin Gil Manzano, italianin Marco Guida, sllovakun Ivan Kruzliak dhe rumunin Istvan Kovacs.