Gjykata e Elbasanit ka shpallur të pafajshëm, Donald Hoxhën, një prej autorëve të dyshuar për vrasjen e ish-efektivit të Krimeve, Roland Rexhepi, i njohur si ‘Doda’, e ndodhur në vitin 2009.

Nga ana e saj prokuroria kishte kërkuar në pretencë 16 vite burg.

“Sot më datë 30.12.2025 u çel për shqyrtim seanca gjyqësore me të pandehur shtetasin D.H., akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78, pg. 1 e 25 të Kodit Penal.

 Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata vendosi: -Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit D.H”, thuhet në vendimin e Gjykatës. 

Donald Hoxha ishte ekstraduar nga Britania e Madhe. 

Për ekzekutimin e ish-efektivit të antidrogës, deri tani janë arrestuar 4 autorë, Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg, Florind Shabani, i ekstraduar në fillim të janarit 2022 nga Gjermania, si dhe Donald Hoxha, i cili sot u shpall i pafajshëm.

Ndërkohë në kërkim rezulton Gëzim Ballën. Vrasja e ish-policit ‘Doda’ është një ndër ngjarjet e bujshme që ka nisur sagën e tmerrshme të vrasjeve në Elbasan.