Gjykata e Durrësit lë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” shoferin Vladimir Rusi, i cili u akuzua ditë më parë si bashkëpunëtor në grabitjen e kambistit te tregu i lirë valutor pranë Postës Shqiptare.
Gjykata la në fuqi një masë më të butë sigurie për Rusin, pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Durrësit për ta proceduar të arrestuarin në gjendje të lirë.
Ngjarja për të cilën akuzohej taksisti 63-vjeçar u regjistrua mesditën e së dielës në Durrës, kur një shtetas rreth 35 vjeç i është afruar kambistit Skënder Hasani dhe i ka kërkuar të futet në automjet, pasi donte të shkëmbente rreth 10 mijë euro.
Më pas i ka kërkuar shoferit, të cilin e kishte marrë si taksi, të lëviznin në një vend tjetër për të mos rënë në sy. Automjeti ka lëvizur drejt Katund Sukthit ku nën kërcënimin e thikës të vendosur në gjoks, kambistit 58-vjeçar nga Durrësi i është vjedhur çanta me para në vlerën e mbi 1 milion lekëve të rinj.
Pasi i ka marrë paratë, autori e ka hedhur jashtë mjetit në ecje kambistin pikërisht në Katund Sukth dhe është larguar. Menjëherë i grabituri ka njoftuar policinë për ngjarjen që çoi në pranga taksistin, ndërsa punohet për identifikimin e autorit të grabitjes.





