Mesditën e së martës, do t’i shkojë një donacion kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Bëhet fjalë për kravata të mbledhura në kuadër të një ‘aksioni humanitar’ disaditor të ndërmarrë nga një qytetar i Prishtinës.

Iniciativa e Kushtrim Mehmetit për të mbledhur kravata për shefin e qeverisë së Kosovës erdhi disa ditë pasi ky i fundit arsyetoi rritjen e rrogës së tij për 100% me nevojën për të investuar në veshje, shkruan Kallxo.com.

Nga 1550 euro, Ramush Haradinaj i caktoi vetes një rrogë prej 2950 euro.

Duke folur për vendimin për t’ia rritur rrogën vetes, stafit të zyrës dhe kabinetit qeveritar, Haradinaj ishte shprehur se kishte nevojë “për të blerë edhe këmisha e kravata” pasi që, sipas tij, zyrtarëve shtetërorë të Kosovës u duhet ‘paraqitje’ para bashkëbiseduesve në takime të ndryshme.

Kushtrim Mehmeti është fotografuar sot para një ‘kontingjenti’ prej 204 kravatave duke paralajmëruar se ato nesër në mesditë do t’i dorëzohen kryeministrit Ramush Haradinaj.