Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e shtetasit Durim Bami në autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kjo kërkesë është dërguar në rrugë shkresore dhe elektronike. Ministria e Drejtësisë ka marrë njoftim nga Ministria e Jashtme se kërkesa dhe dosja për shtetasin Bami janë marrë në dorëzim nga pala arabe.

Bami akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet, 80, 284, 333/a dhe 334/1 te Kodit Penal.