Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur me emrin e artit Gjesti, ka dhënë dëshminë e tij në gjykatë lidhur me incidentin në ambientet e studios “Onima”, duke deklaruar se veprimet për të cilat dyshohet i ka kryer në një gjendje emocionale dhe ka kërkuar falje për situatën.

Sipas mediave vendase, në dëshminë e tij ai ka thënë se gjithçka ka ndodhur në një moment të vështirë emocional.

Pajtohem me deklarimin e avokatit tim, dua ta njoftoj gjykatën se jam në ankth, kam vepruar në gjendje të afektit. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit dhe palës së dëmtuar,” ka deklaruar ai gjatë seancës.

Mbrojtja e tij ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale. Avokati i Gjestit, Artan Qerkini, ka theksuar se reagimet impulsive zakonisht nuk përsëriten dhe se masa e paraburgimit do të ishte e tepruar, duke shtuar se klienti i tij është i gatshëm të hyjë në marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Megjithatë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që Gjesti të mbahet në paraburgim për një muaj, duke argumentuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale dhe rreziku i ikjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës penale. Masa e paraburgimit do të zgjasë nga 11 marsi deri më 9 prill 2026.

Sipas gjykatës, gjatë arrestimit tek Kelmendi është sekuestruar një armë Radikal RP-X9, kalibër 9 mm, me një karikator dhe 14 fishekë. Incidenti ka ndodhur më 11 mars 2026, rreth orës 14:50, në ambientet e studios “Onima” në Veternik të Prishtinës.

Dëshmitarët kanë raportuar se Gjesti ka hyrë në objekt duke kërkuar drejtorin e kompanisë, E.Sh., dhe ka kërcënuar se do të thyejë kompjuterët dhe pajisjet nëse pronari nuk paraqitet. Në një moment, ai ka goditur një kompjuter, ka thyer disa xhama dhe ka mbajtur armën në dorë për një kohë të shkurtër. Dëshmitarët raportojnë gjithashtu se këngëtari i ka drejtuar stafit fjalët: “ku o se kam me vra”.

Policia konfirmoi arrestimin e Gjestit më 11 mars 2026, ndërsa Prokuroria njoftoi se ai u ndalua për 48 orë nën dyshimin për tri vepra penale: kanosje, dëmtim të pasurisë dhe mbajtje pa leje të armës.

Sipas mediave vendase, shkaku i incidentit dyshohet të jetë mosmarrëveshja rreth një borxhi paraprak, që çoi këngëtarin drejt një reagimi të dhunshëm në ambientet e kompanisë.