Një student ka paditur kompaninë Apple Inc duke kërkuar dëmshpërblim rreth 1 miliardë dollarë, pasi pretendon se kamerat e saj e arrestuan pa të drejtë.

18-vjeçari Ousmane Bah tha se ishte akuzuar për vjedhje nga dyqanet e Apple në katër shtete amerikane dhe u arrestua në shtëpinë e tij në New York vjeshtën e kaluar. Ai beson se algoritmet e Apple janë gabuar pasi kanë lidhur imazhet e hajdutit me emrin e tij.

Pasi u kontaktua nga BBC, kompania tha se nuk përdor teknologjinë e njohjes së fytyrës në dyqanet e saj, ndërsa Ousmane Bah pretendon se nuk ngjan aspak me hajdutin.

Madje zbuloi se një nga akuzat ishte për vjedhjen e një dyqani të Apple në Boston, një qytet të cilin nuk e ka vizituar kurrë. Pafajësia e tij u vërtetua kur dolën datat ku tregohej se adoleshenti ishte në New York kur u bë vjedhja.