Ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj që u arrestua pak javë më parë në Tiranë, me kërkesë të Gjykatës Speciale në Kosovë la reaguar sërish nga burgu me një letër të hapur.
Ai akuzon sistemin juridik në Kosovë duke i quajtur si vrasës me pagesë për llogari të Serbisë. Gjithashtu Goxhaj akuzon Serbinë se po përpiqet ndërkombëtarisht të eleminojë totalisht UÇK-në ose këdo që mbron luftën e saj në fundin e viteve 90′ për çlirimin e Kosovës.
Letra e plotë:
Dorasit dhe kallauzët e Serbisë në Kosovë
Fatkeqësisht, dorasit (vrasësit) e paguar nuk i kanë munguar asnjëherë këtyre trojeve tona. Dikur, këta doras, i gjeje nëpër skutat më të errëta e mejhanet më të qelbura të kasabave (qendrave të banuara) tona. Atëherë këta doras i përkisnin një kategorie njerëzish shumë të ulët dhe, pothuajse pa përjashtim, në nivelin e analfabetit. Ndërsa sot niveli i këtyre dorasve ka ndërruar 180 gradë. Në rast se në ato vite të errëta për popullin tonë dorasit ishin pothuajse 100% shqiptarë, sot ata janë 100% të huaj. Dhe këta të huaj i përkasin një kategorie njerëzish të mirëarsimuar.
Sot këta doras nuk gjenden më nëpër skuta të errëta ku edhe hija do të trembej të hynte, përkundrazi, sot ata i gjen nëpër korridoret dhe zyrat e sistemit juridik. Këtyre dorasve me jaka të bardha e toga të zeza sot u është dhënë edhe statusi special për detyrën që kanë marrë përsipër të kryejnë.
Sot këta doras quhen Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Gjykata Speciale në Kosovë. Dorasit e paguar te ne gjithnjë kanë qenë në shërbim të fqinjëve tanë e veçanërisht të Serbisë.
Edhe sot këta doras me toga të zeza janë vënë ekskluzivisht në shërbim të Serbisë. Nëpërmjet këtyre dorasve Serbia po kërkon të eliminojë totalisht UÇK-në, këdo që ka luftuar në radhët e saj dhe këdo që guxon të mbrojë ose të dalë në mbrojtje të UÇK-së.
Jo më larg se para tri ditësh, Ministri i Mbrojtjes i Serbisë kërcënoi haptazi Maqedoninë e Malin e Zi për njohje të Kosovës. Imagjinoni se çfarë urrejtjeje dhe në çfarë gjendjeje emocionale dhe psiqike ndihet shteti serb përballë asaj organizate politiko-ushtarake e cila e solli Kosovën në këtë pikë që gjendet sot. Prandaj, Serbisë i duhet sot dorasi special në formë prokurorie dhe gjykate që të hakmerret ndaj atyre njerëzve që i shkaktuan Serbisë turpërimin e saj më të madh në gjithë historinë e saj, qoftë si mbretëri dikur, qoftë si republikë sot.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është i vetmi formacion politiko-ushtarak në trojet shqiptare që e çoi deri në fund dhe i kreu plotësisht detyrat e saj strategjike dhe operacionale, detyra këto të përcaktuara haptazi në emrin e saj “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
Kjo ushtri arriti, me ndihmën edhe të NATO-s, të realizonte çlirimin e Kosovës. Ajo arriti të bëjë atë që asnjë organizim tjetër politiko-ushtarak që nga Lidhja e Prizrenit nuk kishte mundur ta bënte. Arriti të përzinte Serbinë ushtarakisht nga trojet shqiptare në Kosovë, duke e detyruar atë jo vetëm të tërhiqet me turp, por edhe të detyrohet që gjatë tërheqjes të kërkojë mbrojtjen e KFOR-it nga frika e UÇK-së. Ndaj, Serbia kurrë nuk do të heqë dorë së luftuari kundër UÇK-së dhe luftëtarëve të saj. Sot ajo ka bërë një kontratë me dorasin që quhet ZPS dhe Gjykatë Speciale, por që kjo kontratë vrastare të arrijë të realizohet i duhen edhe disa kallauzë. Duhen këta kallauzët vendas që të ndihmojnë dorasit e huaj në realizimin e detyrës që kanë marrë përsipër të kryejnë. Dhe këtyre kallauzëve, pjesa më e madhe e të cilëve janë vendosur në një vend pune në administratën e shtetit të Kosovës, u është dhënë një status special më vete. Këta kallauzë sot konsiderohen ca si dëshmitarë të mbrojtur, e ca si dëshmitarë të fshehur, por të gjithë janë thjesht vetëm kallauzë-dëshmitarë të rremë. Sot, me ndihmën e këtyre kallauzëve të rremë, këta doras po dënojnë, tentojnë të dënojnë, burgosin e tentojnë të rrëmbejnë me procedura ish-luftëtarët.