Pas arrestimit të ish-prefektit të Fierit, sot Gjykata e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij, duke e lënë të lirë kundrejt garancisë pasurore.
Ish-prefekti Bujar Hasaj, ka ofruar garanci një shumë parash prej 13 milionë lekësh. Gjykata e ka pranuar, por me kusht që prefektit mos t’i lejohet dalja jashtë Shqipërisë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni “Kanadezi”
Arrestohet një shtetas dhe shpallet një tjetër në kërkim për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda i kryer në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i dokumentave i kryer në bashkëpunim”.
Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune hetimore 8 mujore, ka bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit “Kanadezi”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Bujar Hasa, 57 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.
Gjithashtu në lidhje me këtë procedim, është bërë shpallja në kërkim e shtetasit P.P.
Arrestimi i të sipërpërmendurit u bë pasi ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin P.P., kanë mashtruar më anë të falsifikimit të dokumentave, shtetasin Kanadez B.H., duke i marrë një shumë prej 260 000 (dyqind e gjashtëdhjetë mijë) dollarësh dhe shtetasin shqiptar D.M., duke i marrë një shumë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) Eurosh
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprën “Mashtrimi me pasoja të rënda i kryer në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i dokumentave i kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 143/3 e 186/2 e Kodit Penal”.





