Gjykata e Posame e Apelit ka pranuar kërkesën e SPAK për të vënë në sekuestro preventive pasuritë e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i cili ndodhet në burg pasi akuzohet për tjetërsim pronash në bregdet.
GJKKO i ka sekuestruar një apartament me siperfaqe 81.41 m2. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs nga cilido që ka interes në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.
Njoftimi i GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 31.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 29, datë 26.07.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive”, dhe vendosi:
Ndryshimin e Vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, në bazë dhe për zbatim të nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale, për pasurinë numër ***, volumi ***, faqe ***, Zona Kadastrale nr. ***, lloji i pasurisë “Apartament”, sipërfaqja e përgjithshme 81.41 m2, adresa e pasurisë ***, për llogari të Procedimit Penal nr. 189, të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me veprën penale të parashikuar nga neni 257/a/II i Kodit Penal, me person nën hetim Z. J.G.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs nga cilido që ka interes në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e marrjes dijeni për vendimin e arsyetuar.