“Dua djalin, ma lironi se e kam të pafajshëm. Ma mbani kot djalin brenda në burg, edhe kur është i pafajshëm! A ka qeveri, a ka shtet? Unë dua djalin të vijë në shtëpi!” Ishin këto thirrjet e dëshpëruara të Lindita Hakës dhe të afërmve të tjerë të 22-vjeçarit i cili akuzohet për vrasjen e Leonard Muratit.

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, ka lënë sërish në burg Bedri Hakën, i cili ka një vendim pafajësie të formës së prerë, nga gjykata e Apelit në Durrës, në lidhje me akuzën e vrasjes së 50-vjeçarit.

Avokati mbrojtës Xhemal Bajli, i ka dorëzuar gjykatëses Shpëtime Pitaku vendimin numër 873, të datës 30 mars 2016, për pushim të çështjes nga Gjykata e Apelit në Durrës, në lidhje me akuzën “Pengim zbulimi i së vërtetës” pasi akuza e vrasjes ra.

Prokurori Kujtim Basha e la në dëshirë të gjykatëses vendimin, ndërsa avokati mbrojtës kërkoi lirimin nga salla e gjyqit të klientit të tij, duke deklaruar se po mbahet në kushte të paligjshmërisë në burg.

“Duhet të mbahet përgjegjësi, kush është përgjegjësi, që një i pafajshëm të mbahet në burg, dhe të akuzohet për vrasje, ndërkohë që po kjo gjykatë e ka hedhur poshtë këtë akuzë?”, u shpreh avokati.

Leonard Murati humbi jetën si pasojë e një atentati që ndodhi mbrëmjen e 18 nëntorit 2014 në qytetin e Durrësit. Ai u vra me armë zjarri te lokali i tij, “Bar Center”, që ndodhet 40 metra larg bashkisë në sheshin “Liria”.

K.H.