24-vjeçari i arrestuar disa orë më parë si i dyshuari kryesor për sulmin e armatosur në Universitetin Brown në Rhode Island, SHBA, ku humbën jetën dy studentë, është liruar nga autoritetet. Prokurori i Përgjithshëm i Rhode Island, Peter Neronha, deklaroi se lirimi i tij erdhi pasi provat e reja “tani tregojnë në një drejtim tjetër”, duke pranuar se fillimisht “kishte prova që tregonin drejt këtij individi”. Ai theksoi se zhvillimet e fundit në hetim çuan në rishikimin e plotë të rastit. Nga ana e tij, shefi i policisë sqaroi se autoritetet kishin mbledhur disa prova, por jo të mjaftueshme për të ngritur akuza penale. Sipas tij, një informacion fillestar çoi FBI-në drejt këtij personi, por pas shqyrtimit të mëtejshëm të të dhënave, ai u lirua. “Ky është një proces normal në hetime të tilla”, u shpreh ai.
“Kam qenë në këtë profesion mjaftueshëm gjatë për ta ditur se ndonjëherë hetimi shkon në një drejtim dhe më pas duhet të riorganizohet dhe të marrë një drejtim tjetër. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi gjatë 24 orëve të fundit”, deklaroi Neronha. 24-vjeçari ishte arrestuar në një hotel Hampton Inn në Coventry. Gjatë kontrollit në dhomën e tij, policia gjeti dy armë zjarri: një revolver dhe një pistoletë të vogël Glock me pamje lazeri. I dyshuari u kishte thënë oficerëve se nuk ishte larguar nga hoteli në orët para arrestimit.
Sulmi ndodhi të shtunën pasdite, pak pas orës 16:00 lokale, brenda një klase në Ndërtesën e Inxhinierisë Holley, në anën lindore të kampusit të Universitetit Brown në Providence. Dy studentë u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën. Kryetari i Bashkisë së Providence, Brett Smiley, bëri të ditur se shtatë nga të plagosurit janë në gjendje të qëndrueshme, një ndodhet në gjendje kritike, ndërsa një tjetër është liruar nga spitali. Presidentja e Universitetit Brown, Christina Paxson, konfirmoi se të gjitha viktimat janë studentë.
Sipas njoftimit zyrtar të universitetit, personi i armatosur hapi zjarr pranë ndërtesës Barus & Holley, ku në atë moment po zhvilloheshin provimet. Menjëherë pas ngjarjes, studentëve dhe stafit iu dërgua një mesazh emergjent me udhëzime për t’u mbyllur në ambiente të sigurta dhe për të qëndruar të fshehur. Universiteti Brown ka rreth 11 mijë studentë, ndërsa hetimet për identifikimin e autorit të sulmit vijojnë.





