Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u paraqit sot në seancë gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku këmbënguli sërish për hetime të montuara dhe të pabazuara në analizimin e kontratës.

Ai tha se prokuroria nuk ka hetuar procedurën e kontratës për çështjen e sterilizimit, e cila sipas tij, mbaron më 8 mars të këtij viti.

Ish-ministri u shpreh se prokuroria e cilësoi atë dhe bashkëpunëtorët e tij si “grup kriminal tre veta vetëm për të vjedhur”.

“Ndjesë, se do them një gjë që nuk është brenda procedurës. Kontrata për të cilën jemi këtu mbaron më 8 mars. Unë do të doja të shkoni ta vizitoni vetë realitetin e kontratës. Prokurorët nuk e bënë kurrë. Sepse sipas tyre, u bëmë grup kriminal tre veta vetëm për të vjedhur. Është ftesë, asgjë më shumë. Mbaron për tre javë dhe pastaj nuk ka kuptim”, u shpreh Beqaj para trupit gjykues.

Ai la të kuptohet se sipas tij, hetimi është i pabazuar në verifikim konkret të zbatimit të kontratës në terren, duke kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij.

Mësohet se seanca u shty për një datë tjetër, pasi në sallë mungonin të dy avokatët mbrojtës të ish-ministrit.

Kujtojmë se ish-ministri u arrestua me urdhër të SPAK më 4 korrik 2024 për dosjen e skandalit me fondet e SASPAC, ku akuzohet për abuzim me donacionet e huaja, ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme edhe për dosjen e “Sterilizimit”.

Ilir Beqaj akuzohet se ka kryer vjedhje duke shpërdoruar detyrën publike të titullarit të ministrisë. Ai ka kërkuar disa herë lirinë në shkallë të ndryshme të gjyqësorit, por është rrëzuar nga togat e zeza. Ish-ministri, i cili ka mohuar akuzat e SPAK, madje dy ditë pas vendosjes në pranga ofroi edhe garanci pasurore prej 50 mijë euro, por propozimi i tij nuk u pranua.