Policia e Durrësit arrestoi dy të rinj lidhur me protestën e djeshme kundër rritjes së çmimeve, teksa njoftoi këtë të premte se ka nisur procedimin penal për 50 persona të tjerë, si dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës.

Por si u arrestuan dy të rinjtë dje?

DurrësLajm” mëson se 21-vjeçari E. Smeli kishte parkuar makinën përpara se të ndodhte protesta dhe pas përfundimit të saj, kur ka shkuar për të hipur në automjet, nuk e ka gjetur. Ndodhur në këto kushte i është drejtuar komisariatit të Policisë, por aty i është komunikuar se mjeti i është bllokuar dhe i janë vendosur prangat nën akuzë për 3 vepra penale.

Ndërsa 33-vjeçari A. Basha ka deklaruar përpara uniformave blu se ka qenë duke u kthyer nga Tirana, me nusen shtatzënë, kur është ndodhur në bllokim të rrugës për shkak të protestës. Ka fikur automjetin dhe ka pritur deri në përfundim të protestës, por policia e ka arrestuar.

Dy të rinjtë akuzohen për veprat penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim.

Arrestimet dhe procedimet penale ndaj protestuesve i paralajmëroi një ditë më parë edhe drejtori i Policisë së Durrës, Neritan Nallbati, i cili foli për kameran e “DurrësLajm” pas debateve me protestuesit që bllokuan për minuta të tëra autostradën Durrës-Tiranë.