Sistemi TIMS është rikthyer në gjendje pune sot në mëngjes në pikën kufitare të Kapshticës, pasi një ditë më parë u bllokua për shkak të një sulmi kibernetk. Aktualisht po punohet në ritme të ngadalta.

Edhe në pikën kufitare të Kakavijës, sistemi është funksional që prej orës 02:00 të mëngjesit.

Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare në vendin tonë, sistemi vijon të jetë i bllokuar dhe për hyrjet dhe daljet nga vendi po përdoret regjistrimi manual, në letër.

Një ditë më parë, hakerat e sponsorizuar nga Irani kanë vënë në shënjestër sistemin TIMS që shërben për regjistrimin e hyrje-daljeve në pikat kufitare.

Menjëherë më pas u ndoq protokolli fikjes të sistemit në mënyrë për mos t’i dhënë mundësi avancimi hakerave, në marrjen nën kontroll të këtij sistemi, më i rëndësishmi për policinë shqiptare.