Shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi kanë shpëtuar dy turistë çek që kishin ngelur në det dhe e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues tip kajk, për shkak të dallgëve të larta.

Ditën e sotme, salla operative e Komisariatit të Policisë Himarë ka marrë njoftim për 2 turistë që ishin duke lundruar në det, në plazhin e Livadhit, me një mjet lundrues kajk, të cilët e kishin të pamundur të ktheheshin në breg, për shkak të dallgëve të larta.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare, për t’iu shkuar në ndihmë 2 turistëve çek.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë shkuar në vendin ku kishin ngelur turistët dhe i kanë shoqëruar ata me mjetin e Policisë Kufitare, deri në breg, së bashku me mjetin e tyre lundrues. Dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar shërbimet e Policisë që iu shkuan në ndihmë.

Policia e Kufitare e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë.