Një nga prokuroret që heton ish-ministrin Saimir Tahiri është vendosur në krye të Prokurorisë të Tiranës. Elizabeta Imeraj është emëruar drejtuese e komanduar në krye të prokurorisë së kryeqytetit, pas shkarkimit të Dritan Rreshkës nga procesi i Vettingut.
Imeraj ka drejtuar hetime të vështira në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Ajo njihet si prokurorja që hetoi me sukses çështjen e imamëve për terrorizëm, si dhe çështjen Shullazi.
Po ashtu gjatë kohës që Prokuroria kërkoi mandat për arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri, Imeraj ishte protagoniste kryesore në përballjen me deputetët.
Imeraj është nga Tropoja, nënë e dy fëmijëve. Ajo e ka filluar detyrën si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër në vitin 2004, dhe më pas në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, detyrë në të cilën është edhe aktualisht.





