Matilda Dautaj është një nga personazhet e njohur në Tik Tok për videot e saj plot humor.
E ftuar këtë të premte në emisionin “Rudina”, ajo tregon se pas buzëqeshjes, komenteve të çiltra dhe pa filtra në rrjetet sociale fshihet një histori e vështirë jete.
Në moshën 17-vjeçare Matilda mori iniciativën për të ikur në Itali për një të ardhme më të mirë, por atje u përball me tentativat për ta hedhur në rrugën e prostitucionit dhe pas një morie ngjarjesh të tjera, qëndroi e burgosur për 2 vjet.
Matilda Dautaj: Nuk jam e vetmja dhe nuk më vjen aspak turp ta them, u mora me dëshirë, jo me dhunë që do shkoja në Itali do punonim.
Rudina Magjistari: Pra le të themi nuk ke emigruar me familjen, je nisur vetëm me dëshirën për të shkuar në Itali për të punuar?
Matilda Dautaj: Po, me dikë tjetër.
Rudina Magjistari: Me dikë tjetër që ndoshta në atë kohë ka qenë një mik i juaji, shok i juaji, gjithçka e tillë?
Matilda Dautaj: U lidh një shoqja ime me të dhe me atë u rrëmbeva dhe unë.
Rudina Magjistari: I besove atij personi i cili mori përsipër të të çonte në Itali për të nisur një punë dhe një jetë atje apo jo?
Matilda Dautaj: Po. Atje gjeta komplet një realitet tjetër ku tentuan të më çonin në rrugë. Historia ime është bërë shumë e madhe në Padova sepse gazetarët e çdo gjë, unë u mbrojta nga shteti italian sepse denoncova. Mua më është prerë gërsheti, kam pasur një gërshet shumë të gjatë, që t’i nënshtrohesha asaj pune, por më shpëtoi dikush, një mik i këtij zotërisë e mbajti, e ndaloi dhe unë shpëtova, shpëtova dhe 3 vajza të tjera që ishin 13, 14 dhe 16 kurse unë 17. Të katërta na mori shteti italian na futi në institut, na mbrojtën derisa unë nga ai institut u largova sepse ky djali që më shpëtoi automatikisht unë e dashurova dhe kam ikur, kam jetuar me të, më ka mbajtur si një mbretëreshë të vërtetë. Kur e mendoj që isha një vajzë e pambrojtur, 17 vjeçe por me një forcë shumë të madhe brenda vetes, nuk dija as gjuhën, as rrugët, asnjë gjë dhe ta mendosh që si sot edhe në koëhra të tjera një i pambrojtur ka qenë gjithmonë i shkelur, kurse ai më mbrojti, më shpëtoi dhe e falenderoj. Kemi kaluar një vit e gjysmë shumë të bukur, por pastaj ai për problemet e tij, hallet e tij bëri një vrasje, u arrestua dhe pas pak edhe unë sepse isha e dashura e tij.
Rudina Magjistari: Edhe ti?
Matilda Dautaj: Si ndihmëse e vrasjes, por derisa doli e vërteta, sërish aty ai me pranga të lidhura në duar, u ngrit në këmbë dhe tha “e kam bërë unë”, tha të vërtetën unë thjesht isha e dashura e tij por s’kisha lidhje me punët e tij. Sado që ai bërtiti fort “nuk ka faj Matilda dhe e kam bërë unë, vetëm unë do ta paguaj”, derisa u gjendën provat dhe derisa unë pata mbështetje nga familja ime që të kisha një avokat, bëra plot 2 vjet.