Ka nisur zhvendosja e materialeve dhe boshatisja e godinës së gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet. Godina është shpallur e pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit dhe do të shembet.
Në oborrin e gjimnazit kanë zbarkuar mjetet e bashkisë që do të bëjnë dhe zhvendosjen e materialeve, ndërsa punëtorët kanë nisur punën për heqjen e tyre. Mësohet se punimet kanë nisur në 11 të natës, ndërsa pritet të punohet me tre turne.
Sipas ekspertëve të Institutit të Ndërtimit, tërmeti i 21 shtatorit, si dhe tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, kanë shkaktuar dëme të mëdha në strukturën mbajtëse dhe për këtë arsye kanë dalë në përfundimin se shkolla, pra themelet dhe struktura e saj, nuk do t’i bënte ballë një tërmeti tjetër të ngjashëm me dy të parët.
Bashkia e Tiranës ka vendosur rindërtimin nga e para të shkollës, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për nxënësit e saj. Në oborrin e gjimanzit kanë zbarkuar mjetet e bashkisë që do të bëjnë dhe zhvendosjen e materialeve, ndërsa punëtorët kanë nisur punën për heqjen e tyre. /RTV Ora





