Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të mbyllet ditën e nesërme dhe do të qëndrojë i mbyllur deri në tetorin e vitit të ardhshëm, pasi do të nisë puna për restaurimin e tij.
Lajmin e ka dhënë Qendra Muzeore Durrës, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Restaurimi i muzeut do të realizohet në kuadër të programit EU4Culture dhe pritet të kushtojë rreth 350 milionë lekë.
Në kuadër të programit EU4Culture, që është një ndihmë e BE-së për trashëgiminë kulturore të vendit tonë pas tërmetit të 26 nëntorit, po restaurohen një sërë sitesh dhe muzesh në Durrës, Tiranë, Krujë, Kavajë etj.
Njoftimi i plotë:
Qendra Muzeore Durrës lajmëron të gjithë qytetarët dhe miqtë e faqes sonë se Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të mbyllet nesër, në datën 27 shtator 2022, ora 19.00 dhe do të qëndrojë i mbyllur deri në tetorin e vitit të ardhshëm.
Sikurse e kemi bërë të ditur edhe më parë, ky muze do t’i nënshtrohet një procesi rinovimi dhe transformimi, falë mbështetjes nga Eu4Culture. Falënderojmë përzemërsisht miqtë dhe qytetarët me të cilët kemi ndarë këtë hapësirë të mrekullueshme kulturore dhe urojmë të ritakohemi në Muzeun tonë, me një pamje, funksion dhe vizion krejt të ri!