Një tjetër pallat është shembur ditën e sotme në lagjen nr.17 në Durrës.

Bëhet fjalë për një objekt 5 katësh i cili ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe sipas ekspertizës së thelluar të Institutit të Ndërtimit duhej prishur për t’i hapur rrugë rindërtimit.

Ashtu siç ka bërë me dije më herët bashkia, pallati do të ndërtohet në të njëjtin vend, me kushte dhe standarte bashkëkohore.

Prej disa ditësh forcat e IKMT dhe IMT e Durrësit po shembin katër pallate në lagjen 17 të qytetit bregdetar, godinat e të cilave paraqisnin rrezikshmëri për jetën e banorëve për shkak të dëmeve të pësuara.

Janë 2 pallate 5 katëshe dhe 2 të tjera 6 katëshe, të ndërtuara shumë vite më parë.

Nga ana tjetër, për shumë pallate shumëkatëshe të ngritura vitet e fundit dhe të dëmtuara rëndë nga tërmeti ende nuk ka një përgjigje përfundimtare nga Instituti i Ndërtimit nëse do të shemben apo riparohen.