Princi Harry u përpoq të shpjegonte publikisht se vendimi për t’u shkëputur nga familja mbretërore nuk ishte i lehtë për të. “Por ne në të vërtetë, nuk patëm asnjë mundësi tjetër”, është shprehur Duka i Sussex.
“Ne shpresuam se mund të vazhdonim t`i shërbenim mbretëreshës pa fonde publike, por kjo, fatkeqësisht, nuk ishte e mundur. Me Meghanin, gjeta dashurinë dhe lumturinë për të cilën kisha shpresuar gjithë jetën time, por dua ta bëj të qartë se ne nuk po largohemi. Mbretëria e Bashkuar është shtëpia ime, është vendi që dua, dhe kjo nuk ka për të ndryshuar kurrë”, tha ai.
Harry shtoi se kjo ishte shenjë e presioneve që po ndiente. Si ai, ashtu edhe e shoqja kanë folur që të dy për vështirësitë e jetës mbretërore dhe sidomos vëmendjen e tepruar mediatike. Harry pati thënë madje në një moment se druhej që bashkëshortja mund të binte viktimë e të “njëjtave forca të fuqishme” që çuan në vdekjen e të ëmës, princeshës së Wellsit, Diana.
Si pjesë e marrëveshjes së finalizuar të shtunën mes mbretëreshës, figurave të tjera të larta mbretërore dhe çiftit, Harry dhe Meghani nuk do ta përfaqësojnë më zyrtarisht monarkinë, dhe duke nisur nga pranvera, nuk do të përdorin dot më as titujt e tyre mbretërorë.





