Gjyqtari turk Halil Umut Meler flet për makthin që përjetoi mbrëmjen e së hënës në Ankara, kur u sulmua nga presidenti i Ankaragucu.

“Faruk Koca më goditi me grusht nën syrin e majtë dhe unë rashë në tokë. Ndërsa isha në tokë, të gjithë njerëzit më goditën disa herë në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit. Faruk Koca para të gjithë arbitrave më tha: “Do të të vras”. Do të bëj denoncim kundër Faruk Koca dhe personave të tjerë që më rrahën. Nuk dua të bëj kompromis. Kaq kam për të thënë”, u shpreh gjyqtari turk Halil Umut.

Qëndrimi i gjyqtarëve është i ashpër, siç raportohet nga shtypi vendas një ditë pas sulmit në stadiumin e Ankarasë.

“Nuk do të marrim më pjesë në ndeshje nëse nuk merren vendime radikale. Nëse është e nevojshme do të lejojmë të arbitrojnë të huajt. Të gjithë e panë atë që ndodhi mbrëmë. Nuk kemi çfarë të shtojmë. Shoqata jonë e arbitrave na ka njoftuar se do të na mbështesë në çdo vendim që do të marrim pas asaj që ndodhi. Ne nuk jemi në gjendje të flasim për arbitrim dhe futboll. Prioriteti ynë i vetëm për momentin është shëndeti i Halil Umut Meler dhe ribashkimi i tij me familjen”, deklaroi arbitri Arda Kardesler.

Halil Umut Meler u shtrua në spital për plagët e marra dhe vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

Lidhur me ngjarjen, reagoi edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan: “Dënoj sulmin ndaj gjyqtarit Halil Umut Meler. Nuk do të lejojmë kurrë që dhuna të ndërhyjë në sportin turk”, tha ai.

AKP, partia konservatore islamike e Erdoganit, ka nisur procedurat e përjashtimit kundër Koca, sipas kanalit publik turk TRT Haber. Presidenti i Ankaragucu ishte zgjedhur dy herë si deputet i AKP-së, në 2002 dhe 2007.