Kryeredaktori i gazetës Rilindja Demokratike, Bledi Kasmi ka dëshmuar në Komisionin e Medias, dhunën që u ushtrua ndaj tij gjatë protestës së 26 majit. Ai ka rrëfyer se dhuna ndaj tij ka qenë e qëllimshme nga forcat e policisë.
"Nuk di pse shkopi i hekurt me “përzgjodhi” mua. Në radhën e parë kishte edhe protestues të tjerë. Por nga videot e realizuara gjatë protestës, u pa se ajo ishte një skemë e qartë për të më goditur. Ai që më goditi erdhi nga radha e dytë e forcave të policisë. Pasi më goditi u tërhoq, dhe gardhi u mbyll prapë për ta mbuluar atë."
Kasmi ka treguar edhe vizitën që i bëri drejtori i policisë, Ardi Veliu, vizitë e cila sipas tij kishte për qëllim manipulimin e të vërtetës.
"Ardi Veliu me vizitoi për të manipuluar të vërtetën. Në spital më ka ardhur drejtori i policisë, zoti Veliu, më ka vizituar dhe është mirëpritur nga ana ime dhe familjarët e mi. E mora mesazhin e drejtorit si një ndërhyrje për të arritur një lloj paqtimi për atë që kishte ndodhur. Zotëria më tha që kishte ardhur për situatën shëndetësore.Në ato momente i shpjegova se u godita nga një shkop gome shumë i fortë. Ka ndërhyrë dhe më ka thënë që shkopi i gomës nuk shkakton çarje në kokë. Aty e kuptova se vizita e tij nuk kishte qëllim që të dënonte dhunën dhe të distancohej, por kishte si qëllim të manipulimit të së vërtetës. Në këto moment pati një acarim mes njerëzve të mi, familjarë dhe drejtorit të policisë, por ka qenë ndërhyrja profesionale e mjeëkut kirurg i cili i shpjegoi drejtorit të policisë të vërtetën e plagës që unë kisha në kokë. Sipas mjekut plaga ishte shkaktuar nga një mjet i fortë i rrumbullakët. Po sipas këtij mjeku nuk kishim të bënim me një send me cepa, por nga një mjet i rrumbullakët."





