KORCË – 28-vjeçarja Rudina Iljazi, e cila iu nënshtrua në muajin dhjetor dhunës barbare të bashkëshortit të saj ka kryer një abort të pavullnetshëm në muajin e pestë të shtatzënisë. Aborti spontan i 28-vjeçares ka ndodhur disa ditë më parë.
Historia e trishtë e Rudina Iljazit bëri bujë në media dhe në opinionin publik, pasi ishte rasti i dytë brenda një harku të shkurtër kohor që një grua shtatzënë dhunohej në mënyrë shtazarake nga bashkëshorti i saj.
Fatmirësisht Rudina nuk pati fatin e Manushaqe Çelikut, shtatzënës 6 muajshe që u vra nga bashkëshorti i saj më 9 dhjetor. Gjithsesi 28 vjeçares tashmë i duhet të përballet me dhimbjen për humbjen e foshnjës që mbante në bark.
28-vjeçarja, kur ishte në muajin e katërt të shtatzanisë, u rrah dhe u godit barbarisht nga bashkëshorti i saj me mjete të forta mbrëmjen e 12 dhjetorit. Ajo ishte goditur me sende të forta në kokë, më pas është dërguar me urgjencë nga fqinjët në spitalin rajonal, ku dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në kokë.
Ndërkohë bashkëshorti i saj, Olsi Iljazi, i arrestuar nga policia menjëherë pas ngjarjes tentoi t’i japë fund jetës dy herë në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Korçës.





