Përfaqësuesi i Kishës Orthodokse në Lezhë, Koço Kapedani, i cili u dhunua nga punonjësi i një firme private ka folur për “News 24”.

Kapedani tregon se ishte një punonjës i një firme që po ndërton një rrugë në lagjen “Gurra” të qytetit të Lezhës, ai i cili e ka goditur duke i lënë shenja të dukshme në syrin e djathte. Kapedani ngre akuza edhe ndaj policisë, pasi sipas tij ka qenë kjo e fundit që e ka shtyrë që të falë dhunuesin.

“Isha në shtëpi. Kishte ardhur fadroma dhe unë zbrita poshtë. I thashë; mos i bini fort se më dëmtohen muret. Ky punëtori, kishte lopatën në dorë, kurse unë kisha shkopin që zbrisja nga shkallët. Ai ma mori nga dora dhe më goditi. Rashë pa ndjenja, të them të drejtën. M’u bë syri xixa-xixa. Erdhi pastaj policia dhe më pas na shoqëruan në polici. Policia nuk mbajti qëndrim korrekt. Jam i indinjuar. Mua më thanë; fale! Unë e fala. I thash mos më gjykoni mua, se jam 80 vjeç. I gjithë opinioni në Lezhë është me mua”, -tha Kapedani.

Lidhur me ngjarjen e rëndë të bërë publike nga kreu i FRPD-së në Lezhë, Albert Loçi policia ende nuk ka dhënë një njoftim edhe pse konflikti ka ndodhur 4 ditë më parë.