Atentati me breshëri kallashnikovi ndaj 38-vjeçarit Delon Troqe, mbrëmjen e së premtes në Vlorë, ishte një goditje e rëndë për fisin Troqe. Dy vite më parë ata ishin tronditur thellë, pasi u zhduk pa gjurmë edhe një tjetër pjesëtar i tyre, Ervisi, dhe që prej atëherë nuk dihet asgjë për të.

Ervis Troqe, sapo ishte kthyer nga Belgjika bashkë me shtetasin Albano Xhaferri, 34 vjeç.

Pas kthimit, Albano i kishte thënë të atit se kishte ardhur, pasi kishte mall për dy fëmijët dhe gruan e tij. Por që prej 18 qershorit 2018, familjarët e tij nuk kanë asnjë të dhënë për fatin e tij.

Siç shprehet i ati, Lutfi Xhaferri, djali ka dalë nga banesa pas një telefonate nga një i njohur i tij. Aty ka të dhëna se telefonuesi e ka marrë me mjetin e tij 34-vjeçarin dhe më pas nuk dihet asgjë se çfarë ka ndodhur.

Familjarët e të riut kanë bërë tetë ditë më pas denoncimin për zhdukjen, ndërsa Policia, sipas të dhënave, e ka identifikuar dhe shpallur në kërkim personin me të cilin u largua 34- vjeçari.

Rreth 20 ditë pas kësaj ngjarjeje, është zhdukur në rrethana ende të paqarta edhe shoku i tij me të cilin ishin kthyer së bashku nga Belgjika, shtetasi Ervis Troqe.

Edhe familjarët e këtij të fundit kanë kryer denoncim për zhdukjen e tij, por deri më tani nuk ka asnjë të dhënë. Policia ka nisur hetimet ku nuk përjashton si pistë e mundshme konfliktet e të rinjve me persona të tjerë në shtetin belg.