Policia e Shtetit ka njoftuar se këtë të mërkurë do të mbahen homazhet në nder të oficerit të policisë, Saimir Hoxha në Pallatin e Kongreseve.

“Ju informoj se homazhet në nder të oficerit të Policisë të vrarë në krye të detyrës do të mbahen në  Pallatin e Kongreseve, nga ora 12:00 deri në orën 15:00”, thuhet në një njoftim për mediat.

Oficeri Saimir Hoxha, 44 vjeç, u vra të martën pasi u qëllua me dy plumba, një në zemër dhe një në qafë, nga Aldi Rama. Ky i fundit u arratis për disa orë, por kur pa që u rrethua tentoi të vetëvritej. Për pasojë mori plagë të rënda në kokë dhe u dërgua në spitalin e Traumës, por ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.

Hoxha do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”. Këtë e konfirmoi të martën ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi kur tha se po kryhen procedurat përkatëse duke i siguruar atij dhe familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm. 44-vjeçari ishte baba i dy fëmijëve.