Stavri Nica nuk duroi shumë: mori dy pikë falë barazimeve me Lushnjën e Laçin, ndërsa në ndeshjen e tretë u mund nga Luftëtari dhe nuk vazhdoi më në krye të Teutës. Durrsakët ishin në pozita jo të mira dhe sezonin e ardhshëm mund të luanin në Kategorinë e Parë, por shpëtuan.
Me largimin e Nicës, presidenti Edmond Hasanbelliu, ia besoi drejtimin e ekipit Gentian Begejës. Çdo klub e ka një “shpëtimtar” dhe sa herë mbetet keq e thirr.
Në fund të sezonit Teuta e siguroi mbijetesën në Superiore, ndërkohë që Begeja në krahun tjetër deklaroi se do të dëshironte të vijonte punën në krye të “Djemve të Detit”, por në klub menduan ndryshe dhe ia besuan stolin Bledi Shkëmbit, i cili sezonin që shkoi ishte në krye të Lirisë së Prizrenit.
Gjithsesi në Durrës nuk mund të mos e falënderojnë Begejën për punën e bërë me ekipin. Falënderime ka edhe për stafin e tij, ndihmësin, Ilir Biturku dhe trajnerin e portierëve, Xhevahir Kapllani.
“Gentian Begeja nuk do të jetë më në krye të Teutës për sezonin e ri, pasi në vend të tij është emëruar Bledi Shkëmbi. KF Teuta e falënderon teknikun për punën e madhe të bërë me ekipin gjatë një momenti të vështirë duke siguruar mbijetesën. Faleminderit profesor! Ti je një prej nesh! Një falënderim i madh shkon edhe për stafin e tij, Ilir Biturku dhe Xhevahir Kapllani. Suksese në karrierë”, shkruhet në deklaratën e klubit të Teutës.
Durrsakët tani po mendojnë për merkaton dhe i afruari i vetëm është Edison Ndreca nga skuadra e Besëlidhjes.





