Konkursi “Imagine” në Suedi, është një konkurs muzikor për të rinjtë e moshës nga 13 deri në 21 vjeç. Është një nga garat më të mëdha në vend për muzikantët e rinj. Por këtë vit ky konkurs është fituar nga shqiptari Kristian Myhedin dhe ai do të marrë pjesë në finalet kombëtare më 9-12 maj. Muzikanti shqiptar ka hedhur hapat e para në muzikë në shkollën artistike "Jan Kukuzeli" në Durrës dhe tani po vazhdon studimet e larta në Suedi.
“Dua t’u them të gjithë atyre që duan të marrin pjesë në këtë konkurs le të vijnë. Është një shans i madh dhe ishte një atmosferë e mirë gjatë garës. Ndihesha sikur isha në një grup të rinjsh që u takuan për të kënduar, dhe jo për të konkurruar”,thotë Kristiani.
Ai pritet të shkojë në finalen e madhe në Eskilstuna, ku do të përfaqësojë Sörmlands, raporton ekuriren.se.
“Së pari kur na dhanë çmimet e mora një prej tyre dhe mendova se dikush tjetër do të fitonte garën. Por pastaj ata thanë se ishte koha për t’i dhanë çmimin fituesit dhe thanë emrin tim përsëri, nuk e prisja, u trondita”, thotë shqiptari.
Në konkurs, Kristi Myhedin luajti një nga këngët e tij, të cilen e këndoi me kitarë.
“Është një këngë pop/rock rreth dashurisë, dhe se si distancat nuk mund të qëndrojnë në rrugën e dashurisë. Nëse e doni dikë, duhet të bëni gjithçka për të”, ky pra është mesazhi i të riut.
Kristi është kushtuar muzikës prej një kohë të gjatë, por në vitet e fundit ai është fokusuar më shumë në shkrimin e saj.
“Në tre vitet e fundit unë kam punuar shumë dhe më shumë jam përqendruar në muzikë. Gjatë dy viteve të fundit kam shkruar vetë muzikën, kur je më i ri, nuk ke aq përvojë dhe është më e vështirë të shkruash tekste të mira. Kur rritesh, jeta të përplas me zhgënjime dhe gëzime, ku kemi përjetuar më shumë gjëra dhe jemi më të frymëzuar. Ajo që më ka frymëzuar kur shkruaj është dashuria”, u shpreh Kristi.
Si u ndjeve në finale?
U ndjeva mirë. Premtoj se do të bëj më të mirën për të përfaqësuar denjësisht Sörmlandin.
Kënga që Kristi Myhedin u paraqit në finale në “Imagine” ishte shkruar në gjuhën angleze. Gjithashtu ai ka shkruar këngë edhe në gjuhën shqipe.
Kristi Myhedin ka lindur në Itali, por ai është me origjinë nga Shqipëria. Ai ka jetuar në Flen për dy vjet.
“Kam ëndërruar për një të ardhme jashtë Shqipërisë,” thotë ai.
Kristi Myhedin punon si mësues e kitarës në shtëpinë e Kulturës në Flen dhe punon prapa skenës në Kulturskolan. Ai është gjithashtu një këngëtar dhe kitarist në Orkestrën Botërore të Flen.
“Unë duhet të mësoj më mirë gjuhën suedeze. Kur flas me nxënësit, ndonjëherë ata pyesin nëse jam suedez, sepse ata mendojnë se kam një theks të mirë, por ndonjëherë mund të kenë vështirë të më kuptojnë për shkak të gjuhës. Por tani po punoj dhe jam i përqendruar tek finalja në Uddevalla”.