Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 13 nëntor të këtij viti në Lezhë, ku tre persona hynë në një lokal të maskuar dhe të armatosur, duke terrorizuar qytetarët.
Ndërkohë, policia ka publikuar edhe pamjet, që tregojnë momentin kur tre të rinjtë hyjnë në lokal me armë e maska në fytyrë.
Mësohet se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 3 autorët e dyshuar të ngjarjes. Ata janë: R. Rr., 28 vjeç, A. D., 31 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe R. B., 29 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, të cilët menjëherë pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit.
Në një njoftim për mediat, bëhet me dije se shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i tre personave që hynë të armatosur në lokal.
“Po në vijim të veprimeve, menjëherë pas publikimit të videos në media dhe rrjetet sociale, nga shërbimet e Policisë është bërë i mundur identifikimi i të gjithë shtetasve që ndodheshin në lokal, të cilët në vijim të veprimeve hetimore janë proceduar penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”, njofton policia.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”, e mbetur në tentativë, të kryera në bashkëpunim.





