Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për 3 punonjësit e policisë që janë gjendur në shoqërinë e Klaudio Prendit, 27-vjeçarit i cili u vra në një atentat mafioz rreth orës 00:36, pak pas mesnatës së të hënës (19 Nëntor) në rrugën “Xhanfize Keko”.

AMP do të intervistojë oficerët e policisë dhe më pas do të konkludojë.

Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit të GJKKO-së, Fran Prendi, dyshohet se është qëlluar me 5 plumba me armë me silenciator dhe është transportuar në spital nga miqtë e tij për ndihmë mjekësore, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Panorama.al, shihet teksa viktima del nga lokali ku ishte nën shoqërinë e miqve të tij dhe futet në makinën tip G Class të parkuar tek stacioni i autobusëve.

Në atë moment, atentatorët i shkojnë paralel me Audi duke e qëlluar me armë me silenciator dhe largohen nga vendngjarja.

Miqtë e viktimës, sapo kanë parë ngjarjen e rëndë, vrapojnë drejt Klaudio Prendit për t’i ardhur në ndihmë dhe e dërgojnë me mjetin tip G Class në spitalin e Traumës, por 28-vjeçari nuk arriti që të mbijetojë.

Ndërkohë, pak më vonë në vendin ku ndodhi atentati mafioz mbërrijnë forcat e policisë.

Një skemë tipike atentati mafioz, ndërsa makina e autorëve ka ardhur nga zona e Freskut dhe pas vrasjes e ‘Audi’ i atentatorëve është gjetur në flakë në zonën e Farkës. Një person dyshohet se i ka ndihmuar të largohen dhe burime nga grupi hetimor se në mjetin e shkrumbuar të autorëve nuk është gjetur arma që u përdor për ekzekutimin e të riut.

Makina e autorëve ‘Audi A4’ ka pas targa greke të mbivendosura dhe ende nuk është këqyrur numri i shasisë, pasi është dëmtuar nga djegia. Agjentët e policisë kriminale po përpiqen të përftojnë të dhëna për të mësuar pronësinë e makinës, nëse rezulton apo jo e vjedhur.