Lot, dhimbje dhe mesazhe prekëse, gjatë ceremonisë së lamutumirës së aktores shqiptare, Adea Shabani, e gjetur e vdekur dhe e groposur në SHBA.

Ajo u varros sipas ritualeve fetare në varrazat e Butelit, të Shkupit. Për ta shoqëruar në stacionin e fundit, kishin ardhur familjarë dhe miq të shumtë, me të cilët ajo ndau momente të gëzuara të jetës.

“Në disa nga bisedat tona në Skype, ajo ka qenë e shoqëruar me lodra nga Disney dhe me një buzëqeshje të pafajshme, nuk pranonte kritika që tani është e rritur. Me të njëjtën buzëqeshje që mbante kur hante ushqimin e saj te preferuar, këtë buzëqeshje kishte edhe për përcjelljen e ëndërrave të saj dhe kur shihte se si po realizohen ëndrrat e te tjerëve”, tha Zoja Suroi.

Shoqja tjetër e cila vinte nga Shtetet e Bashkuara, Elizabeth kujtoi momentet gazmore me Adean.

“Sa të qeshura ishim dhe sa të lumtura. Gjitha ato kohëra perfekte me ty. Faleminderit për këto kujtime e dashura ime. Faleminderit që më deshe pa kushte. Në të mirë, në të keq, në varfëri dhe në pasuri. Në momnte qesharake dhe të hidhura. Faleminderit që më deshe pa paragjykime. Besoj që din që edhe unë të dua ty”, tha Elizabeth Che.

Ngushëllime shprehën edhe miqtë e tjerë, të cilët nga pamundësia për të ardhur në mbledhje përkujtimore, kishin përgatitur një video-material.

Adea për herë të fundit, është parë e gjallë më 23 shkurt të këtij viti, në afërsi të shtëpisë së saj, në Hollivud. Pas zhdukjes së saj, prindërit angazhuan detektiv privat për kërkimin e të bijës. Ata ofruan 25 mijë dollarë edhe për informacionin më të vogël që kishte të bëjë me të ndjerën, mirëpo kjo rezultoi pa sukses.

Nga ajo që thuhet deri tani nëpër mediat amerikane, vdekja e 25-vjeçares lidhet me emrin e të dashurit të saj 33-vjeçar, Kris Spoc. Ky person për të mos i rënë në dorë policisë, kreu vetëvrasje. / 21Media