Detaje të reja janë zbardhur nga vdekja e ish-efektivit, Artjon Xhelo, i cili u gjet i djegur brenda një makine në Qafën e Llogarasë.
Sipas Policisë, nga këqyrja paraprake e automjetit dhe e trupit të pajetë të Xhelos nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa janë zbardhur edhe lëvizjet e tij të fundit para ngjarjes.
Sipas deklarimeve të familjarëve, ky shtetas rreth orës 11:00 ka dalë nga banesa e tij me automjetin tip BMW, pa bërë me dije destinacionin dhe nuk është kthyer më. Nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti është në pronësi të vetë Artjon Xhelos.
Dyshohet se shtetasi vuante prej rreth tre vitesh nga ankthi dhe depresioni dhe sipas familjarëve ishte në trajtim mjekësor.
Ai u gjet i djegur brenda makinës së tij, tip BMW, rreth orës 14:35 të ditës së sotme. Rasti është ende nën hetim nga policia, ndërkohë paraprakisht dyshohet se Xhelo dogji veten me benzinë brenda mjetit.
Trupi i pajetë i tij është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal Vlorë, ku për identifikimin përfundimtar pritet përgjigjja e analizave biologjike (ADN).
Sipas Policisë, nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, dyshohet për rast vetëvrasjeje, ndërsa, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dinamikës së ngjarjes.
Burime për mediat bëjnë me dije se Xhelo ishte efektiv i Forcave Operacionale “Shqiponjat” dhe në vitin 2023, kishte shfaqur disa probleme psikologjike dhe ishte transferuar në Postën e Policisë Poliçan.
Aty raportohet se Xhelos i humbi arma e shërbimit dhe DVP Berat i dha një masë disiplinore dhe e përjashtoi nga radhët e Policisë së Shtetit.





