Gjatë ditës së sotme një i ri është gjetur i varur në qelinë e tij.

Mësohet se trupi i pajetë i të dënuarit është dërguar në morgun e spitalit të Lezhës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në burgun e Shën Kollit në Lezhë, ku Florian Kodra po vuante dënimin e tij.

Por për çfarë ishte dënuar i riu?

Në datën 21 prill 2016 një plagosje me dy plumba kishte ndodhur në Dukagjin të Malësisë së Madhe.

Policia e Shkodrës ka mundur të zbardh incidentin e ndodhur me armë rreth orës 06:45 në Theth, ku për pasojë ka mbetur i plagosur me inicialet N. T. Burime të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.

Grupi hetimor në përbërje të Specialistëve të Sektorit të Krimeve të Rënda, Komisariatit të policisë Shkodër bënë të mundur lokalizimin e vendit të ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 4 katër gëzhoja, model 56 kalibri 7.62 mm.

Gjithashtu u bë e mundur edhe kapja në flagrancë e autorit të ngjarjes, shtetasit, Florian Kodra, 19 vjeç banues në Theth Shkodër. Këtij personi iu sekuestrua arma e krimit automatiku kallashnikov. I plagosuri është shtruar në spitalin rajonal të Shkodrës në gjendje të rëndë shëndetësore.