Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e shtetasit Mehdi Kavaja një ditë më parë në Shkodër. Ai ndodhej në servisin e tij duke punuar si zakonisht për riparimin e dorezave të makinave kur papritur një person e ka qëlluar atë pas koke me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend.
Fillimisht u mendua se viktima ka patur një hemorragji, por vetëm pas ekspertizës së bërë, u konstatua se 60- vjeçari kishte një vrimë në kokë dhe dyshohet se dikush e ka qëlluar atë me plumb.
Që në momentet e para policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet mbi këtë vrasje të ndodhur në rrethana misterioze. Vrasja mendohet se mund të jetë një hakmarrje për ngjarje të ndodhura para shumë viteve ku ka dyshime se kanë qenë të përfshirë të afërm të shtetasit Mehdi Kavaja.
Burime të policisë bëjnë të ditur se kjo vrasje mund të jetë me pagesë. Megjithatë, kjo është vetëm njëra prej pistave të momentit që po heton policia vendore e Shkodrës ndërsa nuk përjashtohet edhe ndonjë mundësi tjetër. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë që mund të jenë në subjekte afër vendit të ngjarjes.





