Dy persona, të identifikuar nga policia si Mihal Jani, 60 vjeç,dhe Anila Llulla, 50 vjeçe, u gjetën të vdekur të shtunën, në katin e dytë të një pallati në plazhin e Golemit.

Ata dyshohet se humbën jetën të asfiksuar nga gazi, në rrethana ende të paqarta. Në trupat e tyre nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Kanë qenë fëmijët respektivë të viktimave, që në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, kanë dhënë alarmin pasi nuk po lidheshin dot me prindërit e tyre.

Një ditë më parë, djali i 50-vjeçares mësohet se ka denoncuar humbjen e kontakteve me të ëmën, që nuk ishte kthyer në banesën e saj në Tiranë.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se viktimat kishin një raport intim mes tyre. Sipas njoftimit të policisë, vdekja u zbulua rreth orës 17:45 të së shtunës, kur në banesën e 60-vjeçarit Mihal Jani u gjetën pajetë trupi i tij dhe A. Llullës, banuese në Tiranë.

Ajo ishte larguar dy ditë më parë nga shtëpia në Tiranë ndaj i biri kishte kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e saj.

Burime të policisë lokale bëjnë me dije se dhe djali i Mihal Janit, pasi ka humbur kontaktet me të atin që nuk i përgjigjej në telefon që nga dita e djeshme, ka ardhur pranë banesës së tij në Golem të Kavajës dhe pasi nuk ka marrë përgjigje ka kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës për t’u futur në banesë, ku të dy u gjetën pajetë.

Në vendngjarje ka shkuar policia dhe grupi hetimor, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe rrethanat e plota të ngjarjes së rëndë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nuk përjashtohet as mundësia e një vetëvrasjeje, në kushte të rënduara psikologjike. /TCH