Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën se organizoi dhunën ndaj tij, në protestën e zhvilluar më 6 dhjetor. Sipas Berishës, ai ishte një atentat kamikaz pa eksploziv.

Gjatë një mbledhje që zhvilloi me grupin parlamentar të PD-së, Berisha tha se menjëherë pas ngjarjes, Rama njoftoi liderët europianë se autori i goditjes, Gerti Shehu ishte një person me probleme të shëndetit mendor.

Sipas Berishës, Rama ndërhyri menjëherë për të manipuluar ngjarjen, duke publikuar dokumentin mjekësor të Gerti Shehut.

Berisha: Pas përpjekjesh të jashtëzakonshme për ta mbajtur nën kontroll ai këtu e ka humbur betejën dhe tani nëpërmjet procesit gjyqësor kërkon të marrë me çdo kusht flamurin e PD në njërën anë dhe në një akt të pashembullt në 30 vite, në një akt kriminal, ai organizoi një atentat me një kamikaz pa eksploziv ndaj Sali Berishës.

Tani jemi këtu dhe keni ndjekur të gjithë debatin që zhvillohet. Sot nuk ka asnjë njeri që vë në dyshim se krimineli i përzgjedhur ishte atë ditë në një mision të strukturuar, organizuar dhe nuk kishte asgjë rastësore. E para.E përgënjeshtroi njëherë Muhamet Rrumbullaku, se pastaj do i dalë dhe emri “kod” i tij. Një informator, nuk përjashtohet mundësia për të punuar me të tjerë. Ai është një njeri që informon eprorin e tij për çdo gjë. Kështu që, idetë se Gerti Shehun e përdorën të tjerë, janë të pabesueshme. E vërteta është kjo. Në pyetjet e para, ka deklaruar se i kërkoi një vëlla mysliman. Pasi e denoncova unë këtë, atë nuk e përmendën më, sepse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllau mysliman që ia kërkoi, është Edi Rama.

Çfarë ndodhi pas aktit kriminal? Një kryeministër që për garantimin e sigurisë së protestës, është përgjegjësi e tij. Ka vetëm një gjë në dorë, të garantojë gjithçka për një hetim të besueshëm dhe transparent. Edi Rama faktoi se bëri gjithçka për të manipuluar hetimin. Zyra e tij, dërgoi tek media më konfidente, tek media që shpërndan më shumë ‘fake neës’ për Sali Berishën. E njëjta media, e dekonspiroi, dërgoi dokumentin pa asnjë vlerë ligjore. Për të deklaruar se Gerti Shehu ishte me sëmundje mendore.

Rama u ra telefonave të liderëve të Europës, duke mashtruar liderët për aktin e rëndë, se ka qenë akt i një të sëmuri psiqik. Gerti Shehu mund të jetë mjekuar, nuk dyshoj tek ato që ka shkruar mjeku, por është një individ, kriminel që është dënuar nga gjykata si person i përgjegjshëm për krimet që ka kryer. Gjykata, për të përfillur një dokument, ka rregullat e veta. Dokumente të asaj natyre, atij që mund t’i interesojë, janë me zero vlerë.