Luis Meçja, 14-vjeçari që mbeti i plagosur në sherrin ku u vra shoku i tij i ngushtë Martin Cani nga bashkëmoshatari Mario Prelleshaj, është transferuar mëngjesin e sotëm në Itali.
Raportohet se i mitur, i cili mori 4 plagë me thikë, dyshohet nga autori i vrasjes së Martin Canit, është dërguar në shtetin fqinj për mjekim më të specializuar.
Luis Meçja doli nga spitali i Traumës më 29 nëntor dhe hapi një llogari në GoFondMe ku kërkoi ndihmë financarie për shkak se prindërit e tij janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun e fizioterapistin.
Në mesazh, Luis Meçja shkruante se ka marrë 4 goditje me thikë në stomak, shpinë dhe në mushkëri, teksa shprehet “e keni parë çfarë më bënë dy personat me thika, një masakër”.
“Përshëndetje, unë jam Luis Mecja, jam 14 vjeç, kam nevojë për ndihmën tuaj që të shërohem. Javën e kaluar më goditën 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri. Unë kam një javë në spital, por prindërit e mi janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin. Ju mund ta shihni historinë time në Facebook, Instagram, lajme, çfarë më bënë dy personat me thika, një masakër. Ju lutemi na ndihmoni”, shkruhet në faqen GoFundMe.