Portali qeveritar e-albania është kthyer në shërbimin e qytetarëve, pas agresionit kibernetik të 3 javëve më parë.

Aktualisht, 1214 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë.

Janë në funksion të plotë edhe shërbimet e:

– aplikimit të formularit për lëshim për herë të parë ose rinovim të pasaportës

– deklarimit të humbjes së dokumenteve të ndryshme

– ndihmës ekonomike për individët dhe vërtetimit mbi masën e përfitimit të ndihmës ekonomike

– kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social

– lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës.

Ndërkohë, stafi i inxhinierëve po punon për të kthyer në normalitet dhe shërbimet e fundit të mbetura siç janë: njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja; vërtetimi i pagesës së aftësisë së kufizuar si dhe kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike.

Nga dita e hënë do të mund të aplikohet edhe për Leje Ndërtimi (e-Lejet), vlerësimi të ndikimit në mjedis dhe përdorimit të burimeve ujore.

Sistemet elektronike të rikthyera se fundmi në funksionalitet të plotë janë:

– Sistemi i Qëndres së Botimeve Zyrtare;

– e-Inspektimi;

– Sistemi i menaxhimit tëinformacionit për burimet njerëzore të administratës;

– Sistemi elektronik i ndihmës ekonomike.

Gjithashtu, është funksionale posta elektronike zyrtare për të gjithë punonjësit e administratës. Janë forcuar mekanizmat e sigurisë së email-it zyrtar si dhe është bërë kalimi i çdo mailbox-i në infrastrukturën cloud.

AKSHI shpreh mirënjohje për të gjithë punonjësit e ekipit që ia dolën të rikuperojnë në një kohë rekord shërbimet publike online, si dhe skuadrën speciale të Microsoft për ndihmën gjatë gjithë këtyre ditëve.