Një tragjedi e rëndë ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje në Porcari, një komunë në provincën e Luccës, ku katër anëtarë të një familjeje shqiptare humbën jetën nga një rrjedhje monoksidi karboni.
Corriere della Sera ka zbuluar identitetet e viktimave: Arti Kola, 48 vjeç, kryefamiljari; Jonida Kola, 43 vjeçe, nëna; Hajdar Kola, djali 22-vjeçar, dhe Xhesika Kola, vajza 15-vjeçare.
Sipas hetimeve të para, rrjedhja ka ndodhur për shkak të një kaldaje me defekt në shtëpinë e familjes, në Via Galgani.
Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, u shpëtua në gjendje kritike. Ai kishte arritur në vendngjarje pasi familja nuk po i përgjigjej telefonatave dhe kishte ngritur alarmin.
Pas mbërritjes në shtëpinë trekatëshe, ai dhe karabinierët trokitën disa herë në derë, por nuk morën përgjigje. Ata e hapën derën me forcë dhe, sapo hynë, u përballën me një skenë dramatike: katër trupa të pajetë të shtrirë përtokë.





