Mesditën e kësaj të shtune, në një rrobaqepësi në Durrës, konkretisht në Fllakë, janë helmuar disa punëtore.

Shtatë prej tyre janë dërguar me simptoma të vjellash, të përziera dhe dhimbje koke në spitalin e Durrësit për të marrë ndihmë mjekësore.

Në një deklaratë për gazetarët, nëndrejtori i spitalit të Durrësit, Genti Kavaja, deklaroi se u janë marrë analizat, dhe gjendja e pacieneteve aktualisht paraqitet stabël. Ndërsa për dy prej tyre që ishin në gjendje pak më të rënduar, i kanë nisur në Tiranë për ekzaminime më specifike.

“Janë paraqitur 7 paciente që kanë ardhur nga një fasoneri në urgjencë me intoksikacion. Pasi ato kanë mbërritur këtu, ekipi ynë ka dërguar dy autoambulanca në fasoneri dhe janë kthyer bosh. Momentalisht parametrat vitalë janë brenda normës”, thotë Kavaja në një deklaratë për gazetarët.

Dy prej punëtoreve që ndodhen të shtruara në spitalin e Durrësit, kanë treguar dhe simptomat që patën gjatë momenteve të para kur u ndjenë keq në ambientet e punës

“Kisha të vjella. Nga puna na sollën në spital. Të gjithë ishim në orarin e punës, pasi hëngrëm bukë”, thotë për “DurrësLajm”.

Nga veprimet e deritanishme të policisë, ka rezultuar se disa punëtorë kanë çmontuar një kondicioner, i cili ka lëshuar gaz, çka ka çuar më pas dhe në helmimin e punëtoreve.

Informacioni paraprak i policisë:

Më datë 24.11.2018, rreth orës 13:30, në një rrobaqepësi në Fllakë janë ndjerë keq 8 punëtore, të cilat ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet paraprake ka rezultuar se disa punëtorë kanë çmontuar një kondicioner, i cili ka lëshuar gaz.

Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.