Që prej ditës së enjte, prindërit e 323 nxënësve të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës janë të shqetësuar dhe ndihen të pasigurtë për fëmijët e tyre gjatë orëve që kalojnë në institucionin arsimor. Shkak është bërë largimi i oficeres së sigurisë.

“Kam dy fëmijë në këtë shkollë, një në klasë të III-të dhe një në klasë të V-të, dhe nuk e ndjej veten të sigurt për fëmijët e mi duke qenë se banjot janë të përbashkëta. Kam frikë të sjell fëmijët, pa një oficer sigurie.”

“Shqetësimi jonë është të jetë siguria brenda në shkollë, sepse kemi dëgjuar gjëra, kanë ndodhur gjëra. Mos të na ndodhë dhe neve. Ti paraprijmë para se të ndodhë”,- deklarojnë disa nga prindërit.

Ndryshe nga shumë shkolla të tjera të bashkisë Durrës, tek “Jan Kukuzeli” studiojnë nxënës që nga cikli fillor e deri në atë të mesëm. Drejtoresha e kësaj shkolle, Edlira Deveja mbështet kërkesën e prindërve për praninë e oficeres së sigurisë dhe shpjegon sesi u vunë në dijeni për vendimin e marrë nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, AKAP. 

“Dje morëm një njoftim jo në rrugë zyrtare, por përmes e-mail-it të shkollës, ku u njoftua oficerja e sigurisë që nuk do të vijojë më të ndjekë shkollën tonë. Njoftimi u bë direkt nga AKAP-i. Është një vendim 433, pika 1, që është taksativ për numrin e nxënësve dhe ne për një nxënës nuk e mbulojmë dot arsimin AML, sepse kufiri është 80 nxënës. Nga ana humane ne mendojmë se ka dhe raste përjashtimore dhe kjo mund të linte vend për diskutim për vetë veçoritë e shkollës.”

Nëse kërkesa e tyre për rikthimin e oficeres së sigurisë në shkollë nuk merret parasysh prindërit deklarojnë se do të përshkallëzojnë veprimet e tyre. Ata po nisin nënshkrimin e një peticioni drejtuar autoriteteve të arsimit.

Nisur nga ngjarja e fundit tragjike e regjistruar në shkollën “Fan Noli” në Tiranë, komuniteti i prindërve kërkon garanci maksimale për sigurinë e fëmijëve në institucionet e dijes.

M.B.