Merr fund aventura e dy të rinjve shqiptarë që i grabitën 70 mijë Euro një çifti të moshuar grek.
Rasti ndodhi muajin e kaluar në Pieri dhe po hetohet në detaje nga punonjësit e policisë së Sigurimit në Katerini.
Sipas mediave greke, ndaj një 19-vjeçari dhe një vajze 20-vjeçare, të dy shtetas shqiptar, është hapur një çështje për veprën penale të mashtrimit.
Pasditen e datës 19 prill 2022, një person i panjohur ka telefonuar në telefon fiks 84-vjeçaren, duke pretenduar se ishte punonjëse policie dhe pretendonte se vajza e saj kishte shkaktuar një aksident automobilistik. Madje, në telefon ka dalë një bashkëpunëtore, e cila dyshohet se është bërë si vajza e të moshuarës, për t’u bërë më bindëse. Më pas ajo i ka kërkuar para të moshuarës, në mënyrë që vajza e saj të shmangte pasojat ligjore, si pasojë nga shtëpia e të moshuarës kanë marrë shumën prej 70.000 euro.
Në kuadër të hetimeve, ka rezultuar se autorët e dyshuar kanë shkuar në shtëpi dhe kanë marrë paratë, ku një pjesë e kanë mbajtur dhe pjesën tjetër ia kanë dorëzuar një bashkëpunëtori të panjohur. Gjithashtu është konstatuar se një pjesë e parave që kanë nxjerrë është përdorur për blerjen e një automjeti, i cili është lokalizuar dhe konfiskuar.
Në banesën e tyre u gjetën celularë, tabletë, një laptop dhe një kartë bankare, të cilat u konfiskuan si dhe automjeti që përdornin për veprimtarinë e tyre të paligjshme.
Hetimi policor vijon për përfshirjen e tyre të mundshme në vepra të tjera të ngjashme kriminale, por edhe për identifikimin e detajeve të bashkëpunëtorëve të tyre. Dosja e krijuar do t’i kalojë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Katerini.





