Nga Mustafa Nano
Ai ka një restorant të vetin, ku unë shoh vazhdimisht që punohet. Kurdo që të hysh në të, do ta gjesh plot me njerëz që drekojnë a darkojnë. Më tha që është i majtë, madje më autorizoi që t’ia përmendja dhe emrin kur i thashë në fund të bisedës se do të shkruaja diçka, i ngacmuar prej asaj që ai vetë më tha. Por emrin nuk po ia përmend, pasi dua që trajtimi i problemit të dalë ashtu si duhet, d.m.th impersonal.
Sapo e takova, ma hodhi fjalën tek aksioni i qeverisë për të detyruar bizneset që të japin e marrin kuponë tatimorë. Dhe ma hapi në stilin e tij, që në fakt është stili i të gjithëve:
“U ka kallur frikën të gjithëve ky i gjati”. U bëra kureshtar, dhe e cyta që t’ma bënte të qartë qëndrimin e vet. Dhe ai më tha: “Jam dakord me këtë që po bëhet. Fitimet e mia do pësojnë një rënie, por unë jam dakord prapëseprapë. Sepse kështu nuk mund të vazhdohej më. Ja, tani kanë filluar që edhe kompanitë e mëdha që tregtojnë pije freskuese, pije alkoolike etj., të na japin kuponin tatimor. Por… ka shumë gjëra që duhen riparë. Si fillim, duhet të na jepet pak kohë sa të mësohemi me këtë. Kemi gjithë jetën që kemi punuar në një mënyrë të caktuar, si shqiptarë, pa rregulla, pa kontroll, ose me rregulla e kontroll që i driblonim me ndonjë pagesë nën dorë, dhe tani po na kërkohet që menjëherë, sa hap e mbyll sytë, të bëhemi skandinavë. Mirëpo, nuk mund të bëhemi skandinavë, ngaqë shqiptari, sado që të edukohet, mund të bëhet një shqiptar më i mirë, por kurrë një skandinav; pastaj, edhe sikur shqiptari të mund të bëhej skandinav, do të hiqte jo pak prej një bllokimi a hutimi psikologjik që e ka burimin te kjo që po ndodh; së treti, na duhet të mësohemi të gjithë me një edukatë të re në punë, me procedura të reja dhe ky detyrim është për ne pronarët, por edhe për ata që punojnë me ne e për ne; së katërti, janë dhe oficerët tatimorë që duhet të mësohen me këtë gjë, sepse edhe ata kanë punuar ndryshe deri më sot, kanë pasur një marrëdhënie të caktuar, rëndom korruptive me ne; ne sot po marrim vesh se në ç’batërdi kemi jetuar; fjala vjen, ka dyqane bulmeti, ku unë blej vazhdimisht djathë e prodhime të tjera, të cilat kanë një aktivitet nja pesë herë më të madh se restoranti im, dhe tani marr vesh se ata janë të regjistruar si biznes i vogël dhe prandaj e kanë të vështirë të japin kupon tatimor; kuponi tatimor i nxjerr në shesh si biznese të rëndësishme. Prandaj them se na duhet pak kohë të gjithëve.
Por hajt se këtë hallin e kohës që na duhet të gjithëve mund ta hedhim në rrugë e sipër, duke mësuar prej gabimeve, penaliteteve, gjobave, apo edhe prej goditjeve të llojeve nga më të ndryshme që mund të na dhembin, e që mund t’i dhembin edhe ekonomisë kombëtare, se kjo e fundit, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, do ketë dëm nga kjo punë në një periudhë të parë që mund të zgjasë me muaj, e ndoshta më shumë sesa kaq. Lexova që në Lezhë ka plasur një sherr. Shitësi nuk e ka duruar dot këmbënguljen e një qytetari për të marrë kuponin tatimor dhe janë përleshur mes tyre. Nuk e di sa e vërtetë është kjo, por nuk do të çuditesha fare nëse do të ishte e vërtetë. Do ketë plot ngjarje të tilla, pasi ndryshimi që kërkohet është epokal. Unë nuk e di, ndoshta mund të dalë për hajër ky hov e momentum qeveritar, ndoshta mund të jetë më mirë kështu, mund të jetë më mirë pra që këtë not të ri ta mësojmë në mes të detit, duke gëlltitur ujë të kripur e duke rrezikuar të mbytemi, e megjithatë ka diçka për t’u parë e për të ndrequr në këtë ndërmarrje.
Na kërkojnë një kupon tatimor për çdo pjatë që ne shërbejmë. Nëse dikush merr një sallatë, një supë, një pastë, një biftek, ca fruta e një birrë, kamerierit i duhet të fusë në grykën e atij putirit të vogël mbi tryezë gjashtë kuponë. Kjo duket si absurde. Nuk ka as precedentë. Në çdo restorant të botës të shkosh, kamerieri të sjell në fund veç një faturë përmbledhëse, me të gjitha pjatat që ke porositur. Unë e di pse na e kërkojnë këtë. Kështu e kanë më të lehtë të kapin kundërvajtjet dhe shkeljet gjatë kontrolleve të befasishme. Por…se si të ngjan ajo tryeza e mbushur me kuponë.
Përveç kësaj, mua më kërkojnë kupon tatimor për sallatën jeshile që unë e blej te fshatarët. Fshatarët nuk të japin kupon tatimor. Mirëpo, unë nuk kam ku ta blej tjetër sallatën. Tani, unë mund të blej edhe atë sallatë që vjen nga jashtë e që ka ndenjur me orë e ditë të tëra brenda kontejnerësh a frigoriferësh, por së pari më duhet sallatë e freskët, e së dyti, kam qejf t’ua blej fshatarëve tanë, që edhe këta të fundit të nxjerrin ndonjë lek. A ka kuptim që t’i kërkosh fshatarit të shesë me kupon tatimor sallatën apo prodhime të tjera të fushës që ai i ka në sasi të vogla? Nuk e di. Kjo nuk është puna ime. Le ta rregullojë shteti a qeveria këtë gjë, por puna është se nuk ka pse të më pengojë mua të blej sallatë të freskët. Ose le të më kërkojnë mua që të mjaftohem me një faturë dore nga ana e fshatarit, ku të jetë shënuar dhe numri i kartës së tij të identitetit, në mënyrë që strukturat tatimore të kenë mundësi ta ndjekin rrugën mbrapsht, deri në burim, të çdo malli që unë ua servir njerëzve në pjatë. Këtë e them për të gjetur një zgjidhje, por mirë do ishte që hëpërhë qeveria të mos bëhej pedante deri në këtë farë feje e të mos na kërkojë qiqra në hell. Mund të bëhet dasma edhe pa orizin që i hidhet nuses.
Ecim më tej. Këtu, ngjitur me restorantin tim, është një dyqan fruta-perimesh, ku punojnë dy vetë, burrë e grua. Janë të majtë edhe ata. Dhe e di? U ka vajtur në majë të hundës me atë të gjatin. Burri çohet në orën tre të natës për të bërë furnizimin, dhe punon 16 orë, Gjatë ditës i bëhet krah edhe gruaja. Dhe të dy kanë ngritur një biznes tërësisht familjar. Janë veç këta të dy, laj thaj. Rraskapiten. Nuk dinë se ç’janë fundjavat e pushimet e verës buzë detit. Çfarë fitojnë? Fitojnë bukën e gojës. Asgjë më tepër. Dhe është pesë me hiç t’u kërkosh atyre kupon tatimor. Këtyre, por edhe të tjerëve si puna e tyre, duhet t’u kërkohet të paguajnë sigurimet shoqërore për vete, dhe duhet t’u merret një taksë vjetore. Kaq. Dhe duhen lënë rehat. Nuk u mjaftuaka qeveria që këta janë vetëpunësuar, e që nuk kërkojnë asgjë prej saj? Vetëm një qeveri e ligë s’e ka për gjë t’ua nxijë jetën dy vetëve, burrë e grua, që punojnë ditë-natë, nga e hëna deri të hënën, nga janari deri në janar. Bizneseve të tilla, që janë me mijëra në Shqipëri, qeveria duhet t’u thotë ‘faleminderit’ që ekzistojnë, e duhet të bëjë çmos që t’i mbajë të mbrojtur prej detyrimit për të shitur me një kupon tatimor. Shkurt, biznesi i vogël duhet lënë jashtë presionit tatimor e fiskal. Ky lloj biznesi ia ka bërë “nderin” shtetit, e ka shkarkuar pra këtë të fundit prej detyrimit për t’i punësuar këta njerëz, e për të ushqyer familjet e tyre.
Kjo nuk është puna ime. Është punë e tyre. Por unë e ngre këtë shqetësim, pasi më dhemb e majta. Nëse vazhdohet kështu, e majta do të humbasë pushtetin, dhe ne vetëm kjo nuk na duhet. As vendit nuk i duhet kjo gjë. Dhe nuk është se nuk na pëlqejnë këto që po bëhen. Përkundrazi, ne e kuptojmë se këto gjëra duhen bërë, e shyqyr që po i bëjnë tanët, d.m.th të majtët, se nuk mund të ndodhte ndryshe. Pse, do t’i bënte këto gjëra ai shpellari? Por jo, veç për këto gjëra nuk i shkonte mendja atij. Prandaj, ne jemi të parët që jemi dakord me këto reforma, pavarësisht se gjithçka e ka një kosto. Dhe kjo kosto do paguhet nga të gjithë. Edhe nga ju klientët. Mënyra se si kemi punuar ka qenë qari ynë, por ka qenë edhe qari juaj. Ju ia keni dalë deri më sot të hani një drekë të mirë edhe me një mijë lekë, gjë që nuk ndodh kurrë në një vend europian, por tani e tutje kjo gjë nuk do të jetë e mundur. Detyrimi për kuponin tatimor do ta ngrejë lojën në një nivel tjetër”.
Dhe me këtë, biznesmeni mbylli shpjegimet e tij. I nisi me vrull, por në fund m’u duk i qetë. Si biznesmen, e kam fjalën, sepse si veprimtar politik të së majtës e lashë të shqetësuar. E jo vetëm ngaqë kostoja e këtyre reformave po paguhet nga të gjithë, d.m.th edhe nga ata që ia kanë dhënë votat atij të gjatit, por edhe ngaqë ky i fundit është duke u ftohur keq me atë skraparlliun e shkurtër. Dhe ai ishte i sigurt për këtë. “Nuk e di çfarë ka ndodhur mes tyre, por një gjë ka ndodhur; shenjat nuk janë të mira”, më tha me sytë si të zbutur, në pritje të ndonjë konfirmimi nga ana ime.
24 shtator 2015, marrë nga "Shqip"
*Titulli në origjinal "Nga një bisedë me një biznesmen të majtë"
/portali DurresLajm/