27 nëntor 2015 – Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 3 doganierët dhe 2 oficerët e policisë të pikës kufitare në Durrës, të akuzuar për shpërdorim detyre, pasi lejuan kalimin e 1.6 tonëve kanabis nga Durrësi për në Bari të Italisë.

Kështu, u lanë në burg: R.D. 34 vjeç, Doganier te Sheshi Trageteve; L. G 42 vjeç, Përgjegjës i Sektorit të Skanerit; I. Sh. 42 vjeç, Doganier Skaneri; dhe efektivët F. D. 45 vjeç, dhe A. H. 51 vjeç, Trupa Shërbimi pranë DRKM-së Durrës.

Të pestë këta persona akuzohen se me mosveprimin e tyre, lanë të kalonte në portin e Durrësit një sasi të konsiderueshme droge prej 1.6 tonë kanabis sativa, e cila u zbulua vetëm kur mbërriti në portin e Barit në Itali, më 18 nëntor. Mediat italiane raportuan se lënda narkotike ishte fshehur në një ngarkesë me dru që do të përdoreshin për ndërtim, ku këto të fundit ishin të sistemuara në një kamion.

Më parë, gjykata la në burg edhe dy punonjës të Rapiscan-it, kompanisë private të skanimit të mallrave në doganë, Fatjon Trezhnjevën 28 vjeç dhe Edmond Hyskon 42 vjeç. 

/S.L. portali DurresLajm/